Abdixhiku: Mosrespektimi i aktgjykimit të Kushtetueses nuk është opsion

Abdixhiku: Mosrespektimi i aktgjykimit të Kushtetueses nuk është opsion

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetueses, rreth konstituimit të Kuvendit.

Abdixhiku tha se siç edhe pritej, :për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi qëndrimin e LDK-së – insistimin tonë të hershëm – se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit”.

“Për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit tejkaluan kompetencat, shkelen Kushtetutën dhe penguan konstituimin e institucioneve të vendit”, shkroi Abdixhiku.

“Gjykata riafirmoi qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë. Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tre herë për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor”.

I pari i LDK-së tha se ky aktgjykim është fitore e madhe, jo vetëm e LDK-së, por e Republikës së Kosovës dhe e çdo qytetari që kërkon institucione funksionale, transparente dhe të ndershme.

“Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion. Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, përfundoi Abdixhiku.

Related Articles