Rusia ka lëshuar 574 dronë dhe 40 raketa në Ukrainë, në një nga bombardimet më të rënda në javë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
Një person është brarë në një sulm me dron dhe raketa në qytetin perëndimor të Lvivit, ndërsa 15 të tjerë janë raportuar të plagosur në një sulm në rajonin jugperëndimor të Transkarpatisë, raporton BBC.
Sulmet erdhën ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump kryeson lëvizjet diplomatike për të ndaluar luftën. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha ka thënë se sulmet nxorën në pah se pse përpjekjet për ta përfunduar atë janë “kaq kritike”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina është gati të takohet me Vladimir Putinin e Rusisë “në Evropën neutrale” – duke përmendur Zvicrën ose Austrinë por duke shtuar se nuk është as kundër Stambollit.
Perspektiva e bisedimeve të drejtpërdrejta u shfaq pasi Trumpi u takua me Putinin të premten në Alaska, dhe më pas priti Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Presidenti amerikan fillimisht sugjeroi bisedime trepalëshe që përfshinin atë, Putinin dhe Zelenskyn, por më pas ka deklaruar se mund të mos marrë pjesë.
“Tani mendoj se do të ishte më mirë nëse do të takoheshin pa mua… Nëse është e nevojshme, do të shkoj”, ka thënë Trumpi.
Forcat ajrore të Ukrainës numëruan 614 dronë dhe raketa të tjera të lëshuara nga Rusia gjatë natës deri të enjten dhe kanë thënë se kanë ndaluar 577 prej tyre. Ky është sulmi më i madh ajror që nga korriku.
Ndërsa sulmet ruse kanë tendencë të përqendrohen në rajonet lindore afër vijave të frontit, sulmet e fundit goditën edhe zonat perëndimore.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, forcat e saj kanë pushtuar pjesën më të madhe të rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës, duke përfshirë Luhanskun dhe Donetskun.
Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi në vitin 2014.