Dy javë nga vrasja e trefishtë në Gjilan – Mefail Skodra dhe djemtë e tij ende në arrati

Dy javë nga vrasja e trefishtë në Gjilan – Mefail Skodra dhe djemtë e tij ende në arrati

Të dielën e 10 gushtit në qendër të qytetit në Gjilan u vranë tre persona në një kafiteri, të dyshuarit u arratisën nga vendi i ngjarjes. Pak orë pas ngjarjes tragjike Policia e Kosovës shpalli në kërkim si të dyshuar për rastin Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij Edonis dhe Engjëll Shkodra, shkruan Gazeta “Enigma”.

Nga kjo ngjarje babë e bir, Selami e Edmond Hasani mbetën të vrarë bashkë me familjarin e tyre Abedin Hoxhën.

Në konferencën për media që mbajti Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë e Gjilanit u bë e ditur se i dyshuari Mefal Shkodra ka 30 vepra penale, si organizim i grupeve kriminale, fajde, kërcënim, detyrim etj.

Ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar katër zyrtar policor në lidhje me rastin.

“Për të ruajtur integritetin e hetimit dhe për të shmangur çdo ndikim mbi dëshmitarë apo prova, IPK ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. Sipas këtij rekomandimi, Policia e Kosovës ka pezulluar nga detyra: një rreshter policor dhe një hetues nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, një rreshter policor, shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës, dhe një zyrtar policor të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Gjilan”, u tha në njoftimin e tyre.

Tutje IPK ka theksuar se “hetimet që po zhvillohen në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, janë ende në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave dhe kryerjen e veprimeve të tjera procedurale”.

Një ditë pas ngjarjes tragjike Gjykata Themelore dhe Prokuroria Special dolën me “sqarim” se si u bë që Mefail Shkodra me të birin e tij dolën të lirohen nga paraburgimi (qershor – tetor, 2024) përmes ndërrimit të masës me ‘dorëzani’. Njëri me dorëzani 50 mijë euro, tjetri 20 mijë: 70 mijë euro që të dy si tiketë dalje nga paraburgimi.

Çka tha Gjykata?

Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro). Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 (shtatëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh..

Çka tha Prokuroria?

Ndërsa, Prokuroria sqaron se në rastin e parë, i dyshuari M.SH dhe E.SH kanë qenë në paraburgim për katër muaj për disa vepra penale, përfshirë fajden dhe detyrimin. Pas propozimit të avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës me dorëzani në Gjykatën Themleore në Prishtinë, e njëjta propozimin e tillë e ka përcjell për vlerësim në Prokurori. PSRK-ja pas analizimit të kërkesës, ka dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, dhe Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës, pasi është vlerësuar se nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit. Njëkohësisht ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme në kuadër të këtij hetimi, dhe ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast penal, në përputhje me standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Theksojmë se rasti është ende në fazën e hetimeve, dhe gjithashtu janë duke u siguruar prova në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Çka tha Ministria e Drejtësisë?

Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme. Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë. Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis. /Gazeta Enigma/

Related Articles