Dyshohet se ishte i dehur, arrestohet shoferi që shkaktoi aksidentin ku vdiqën 2 motrat në Sarandë

Dyshohet se ishte i dehur, arrestohet shoferi që shkaktoi aksidentin ku vdiqën 2 motrat në Sarandë

Policia e Sarandës ka arrestuar Kevin Norrën, 23 vjeç, të riun që dyshohet si shkaktari i aksidentit të rëndë të mbrëmjes së së dielës, ku humbën jetën dy motrat nga fshati Kopaçez i Delvinës, Ela dhe Rezi Dhimaku.

Siç shkruan Euronewsal, 23-vjeçari nga Gjirokastra, po drejtonte një automjet tip “Audi” në gjendje të dehur, kur u fut në parakalim të gabuar dhe u përplas ballë për ballë me mjetin tip “Lancia”, në vendin e njohur si “Pularia”, në aksin rrugor Sarandë–Delvinë.

Nga testi i alkoolit, ai rezultoi me një nivel shumë të lartë alkooli në gjak.

Përplasja rezultoi fatale për drejtuesen e mjetit “Lancia”, Ela Dhimaku, 22 vjeçe, dhe për motrën e saj Rezi Dhimaku, 20 vjeçe, e cila udhëtonte si pasagjere në vendin e parë.

E vetmja që i mbijetoi aksidentit në makinën e viktimave është Antonela Zhupa, 24 vjeç, e cila u dërgua fillimisht në spitalin e Sarandës me politrauma, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.

Për trajtim më të specializuar, ajo është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia njofton se 23-vjeçari është arrestuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Related Articles