“Zhvillimet në Kuvend, “maskaradë dhe parodi””

“Zhvillimet në Kuvend, “maskaradë dhe parodi””

Sociologu dhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i ka cilësuar si “maskaradë dhe parodi” zhvillimet në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre pa u finalizuar plotësisht procesi.

Zgjedhjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha për kryetar të Kuvendit të Kosovës, ai e sheh si një përfundim të logjikshëm të nyjës së krijuar tash e disa muaj për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Kjo maskaradë dhe parodi nuk ka pasur asnjë gjasë që të përfundojë me ndonjë personalitet nga eshaloni i parë i Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj edhe zoti Basha është zgjedhur si një kompromis dhe si një përfaqësues i lojës së Vetëvendosjes, e cila disi është dashur që të marrë fund. Dihet qartë që zoti Basha nuk i takon ‘radhës’ së parë të Lëvizjes Vetëvedosje”, vlerësoi Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se propozimi i Bashës ishte “lojë” e liderit të LVV-së, Albin Kurti, që sipas tij, t’i vendosë “para aktit të kryer partitë ish-opozitare (PDK-në, LDK-në dhe AAK-në)”, për shkak se bllokada në konstituimin e Kuvendit, në diskursin publik, filloi t’iu adresohet si faj edhe këtyre partive.

“Kështu, ato u detyruan ta japin një zotim publik se do ta votojnë çdo kandidat që nuk ka qenë në Qeverinë e kaluar, madje edhe Bashën, të cilin e kanë përqeshur. Kjo, për shkak se zotimi i tyre ishte dhënë blanko”, theksoi Muhaxhiri.

Procesi i konstituimit është bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit për ta zgjedhur nënkryetarin serb.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e ka propozuar tri herë radhazi emrin e Sllavko Simiqit, mirëpo ai nuk i ka marrë 61 votat e nevojshme.

Muhaxhiri e sheh këtë situatë si ‘kurth’ të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilin ranë edhe partitë
tjera shqiptare, të cilat votuan për dy nënkryetarët e komuniteve joshumicë veç e veç.

Sipas tij, mosvotimi i dy nënkryetarëve të komuniteteve joshumicë në një pako, mund të kontestohet, sipas tij, si shkelje e praktikave të votimit në frymën kushtetuese në Kuvend.

“Besoj që kjo lëndë do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila sërish do të jetë vendimtare për normalizimin e skenës politike në Kosovë”, u shpreh Muhaxhiri.

Ai tha se mundësitë që Lista Serbe t’i sigurojë 10 nënshkrime të deputetëve për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese janë reale, dhe se kjo mund të ndodhë para kryerjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundon më 18 shtator, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar më 18 gusht.

Related Articles