Sot nis inspektimi afër Novi Pazarit, dyshohet për varrezë masive

Sot nis inspektimi afër Novi Pazarit, dyshohet për varrezë masive

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se, për shkak të dyshimeve mbi praninë e një varri masiv, sot do të kryhen inspektime në terren në fshatin Kozhle, pranë Novi Pazarit.

Nga njoftimi i fundit prej këtij komisioni, ky veprim vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve të delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

“Theksojmë se ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara.”, thuhet në njoftim.

Komisioni ka theksuar se gërmimet duhet të shoqërohen me të dhëna nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë, për të saktësuar vendndodhjen e varrit masiv dhe për të siguruar provat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

“Vlerësimet në terren në këtë lokacion, do të përcillen edhe nga përfaqësues të Delegacionit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit për Mjekësi Ligjore. Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre është plagë e hapur e shoqërisë sonë. Çdo hap drejt zbardhjes së të vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor”, thuhej në njoftim./GazetaEnigma/

Related Articles