Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, ka njoftuar se Liridon Masurica, 33 vjeç, nga Gjilani i Kosovës, i njohur gjithashtu me pseudonimin “@blackdb”, ka pranuar fajësinë për akuzën e komplotit për të kryer mashtrim me pajisje të aksesit.
Masurica përballet me një dënim maksimal prej 10 vitesh burg federal, ndërsa data e shqiptimit të dënimit nuk është caktuar ende.
Sipas marrëveshjes së pranimit të fajësisë, Masurica ka qenë administratori kryesor i faqes BlackDB.cc, një treg kriminal online që ka operuar nga viti 2018 deri në vitin 2025. Përmes këtij platforme janë shitur në mënyrë të paligjshme kredenciale të komprometuara të llogarive dhe serverëve, informacione të kartave të kreditit, si dhe të dhëna personale të qytetarëve, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe banorë të rajonit të Floridës së Mesme.
Pasi këto të dhëna përdoreshin nga kriminelët kibernetikë, ato shfrytëzoheshin për aktivitete të ndryshme të paligjshme, si mashtrime me taksat, mashtrime me karta krediti dhe vjedhje identiteti.
Masurica, shtetas dhe banor i Kosovës, u arrestua nga autoritetet kosovare më 12 dhjetor 2024, dhe më pas u ekstradua në SHBA në bazë të traktatit të ekstradimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.
Hetimet u drejtuan nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës. Ndihmë të konsiderueshme ofruan edhe Zyra e FBI-së në Sofje, Bullgari, si dhe Zyra për Çështje Ndërkombëtare pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë.