Kontrabandë me qenie njerëzore në Shqipëri – Policia arreston tre persona

Kontrabandë me qenie njerëzore në Shqipëri – Policia arreston tre persona

Këtë të enjte tre persona janë arrestuar në Shqipëri nën dyshimet për përfshirje në një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore, e njohur ndryshe si dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve shqiptarë, drejt Kanadasë, Shteteve të Bashkuara etj.

Bëhet e ditur se operacioni policor i i koduar “Rrjeti” është realizuar nga Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së ShBA në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës.

“Njësia e Shërbimeve Hetimore, e cila punon së bashku me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer arrestimin e shtetasve H. M., 58 vjeç, A.P., 60 vjeç dhe C. N., 62 vjeç”.

“Hetimet disamujore kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet sigurimit të dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, ka kontrabanduar disa shtetas shqiptarë, nga Shqipëria drejt disa vendeve të BE, prej andej në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera, me qëllim final premtimin dhe dërgimin e tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, dyshohet se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë, me premtimin e dërgimit të tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash cash, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit”, thuhet në një njoftim të policisë shqiptare.

Related Articles