Lladrovci takohet me ambasadorin Hargreaves

Lladrovci takohet me ambasadorin Hargreaves

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, gjatë ditës së sotme ka vizituar Drenasin, ku u prit nga kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë.

Sipas një njoftimi nga ana e komunës, Lladrovci e falënderoi ambasadorin për vizitën, duke theksuar se ndjehet i nderuar me vizitën e tij.

“Qeverisja e mirë, transparente dhe llogaridhënëse e bëjnë komunën e Drenasit kampione në garën e performancës komunale në nivel nacional”, theksoi Lladrovci, duke shtuar se çelësi i suksesit është disiplina.

Hargreaves, sipas njoftimit të lëshuar për media, shprehu falënderim për mikpritjen dhe u njoh me projektet e infrastrukturës, në zbatimin e barazisë gjinore, barazinë para ligjit dhe respektimin e ligjit, në arsim, shëndetësi, etj, njëkohësisht u njoh me sfidat e komunës së Drenasit të lidhura me ujin, ruajtjen e ambientit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Nga ana tjetër, Lladrovci vlerësoi përkrahjen nga Britania e Madhe gjatë dekadave të fundit dhe ditëve më të vështira, në veçanti për transformimin e UÇK-së në TMK dhe më vonë në FSK.

“Kryetari Lladrovci për ambasadorin Hargreaves kishte dy dhurata, librin e Bedri Islamit “Përjetësia e dyfishtë”, kushtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcit si dhe medaljonin e punuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas”, thuhet tutje në njoftim.

Related Articles