Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është një nga goditjet më të rënda që ka përjetuar Kosova në këto 25 vite.
Sipas tij, ky është sinjal i qartë se besimi me aleatinjetik është cenuar, teksa ka shtuar se kjo duhet t’i shqetësojë të gjithë. Ai ka thënë se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vetëm çështje politike, ato janë amaneti i brezit që i solli Kosovës lirinë dhe shtetin.
“Kosova nuk e ka luksin të humbasë Amerikën. Aleanca me SHBA-në është themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë. Çdo veprim apo qasje që e dëmton këtë marrëdhënie është veprim kundër interesit kombëtar”, ka shkruar Limaj.
Limaj ka kërkuar reflektim nga institucionet e vendit.
“Sot është moment reflektimi për institucionet e vendit: duhet kthim në rrugën e bashkëpunimit, transparencës dhe përgjegjësisë. Kërkoj veprime për rikthim urgjent të besimit dhe forcim të partneritetit me SHBA, sepse vetëm krah për krah me aleatët tanë euro-atlantikë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt për Kosovën. Ky është detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj sakrificës së brezit që na solli lirinë”, ka shkruar ai.