Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismajli në fjalimin e tij gjatë hapjes së fushatës “Koha për Prishtinën”, tha se gara e tyre është garë e optimizmit, shpresës, fitores dhe projekteve të mëdha.
Ismaili tha se kryetari aktual e degradoi Prishtinën dhe nuk u brengos fare për pasojat e ‘eksperimenteve’ të tij.
“Koha për qytetin po vjen, koha për fëmijët tonë, me shkëndijë në sy, koha për Prishtinën po vjen. Në 4 vitet e fundit e kemi pa që Prishtina është në kaos, për shkak të një kryetari që erdhi nga jashtë, e tentonte me shkop magjik për këtë qytet, po na degradoj Prishtinën e na mbyti shpresën. A e meriton këtë besim një njeri që nuk brengoset aspak për pasojat e eksperimenteve të tij në kryeqytet. Unë nuk e shoh Prishtinën si fushë betejë politike, kjo është shtëpia ime.
Me Prishtinën e ëndrrave të mëdha. Qyteti ynë është qytet i ëndrrave të mëdha”, tha Ismaili.
Në këtë tubim, Ismaili do të shpalosë programin e tij zgjedhor dhe pesë zgjidhjet kryesore për një Prishtinë funksionale dhe të jetueshme, duke prezantuar gjithashtu edhe ekipin e asambleistëve me të cilët synon të qeverisë kryeqytetin në katër vitet e ardhshme.
Ai ka paralajmëruar se për secilën lagje të Prishtinës do të ketë plane dhe buxhet të dedikuar, të cilat do t’u përgjigjen drejtpërdrejt problemeve specifike të banorëve.