James Rubin, njëri nga njerëzit më të afërt të Madeline Albright e Bill Klinton, ka filluar dëshminë në Gjykatën Speciale të Hagës, raporton Gazeta Enigma.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë ai theksoi se arritja e marrëveshjes së paqes në Kosovë, ishte shumë e vështirë.
Rubin tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, duke u detyruar të konsultohej me persona të tjerë për miratimin e vendimeve.
Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.
“Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër”, tha Rubin.
“Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar”, shtoi ai.