Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kur po zhvilloheshin negociatat në Rambuje, ishte larguar nga Kështjella për një ditë për të udhëtuar drejt Sllovenisë. Kjo për të realizuar një takim me Adem Demaçin.
Kështu u tha në Gjykatën Speciale ku sot po dëshmon juristi Paul Williams. Juristi pohoi se ky takim kishte ndodhur madje dha edhe arsyen sipas pikëpamjes së tij.
“Nuk më kujtohet data por ishte gjatë pjesës së fundit të negociatave, një ditë para ose një ditë pas. Delegacioni i Kosovës, përfshirë edhe Thaçin ishte në presion nga shumë aspekte. Kishte presion nga komandantët lokalë, dhe kishte presion ideologjik dhe kulturor, veçanërisht nga Adem Demaçi”.
“Sipas pikëpamjes time, takimi ishte kritik dhe i rëndësishëm sepse Thaçi duhet të tregonte që ai po përfshihej me Adem Demaçin në kuptimin që ai kishte komunikim me Demaçin, sepse ai ishte një person intelektual dhe shumë i respektuar, në moshë më të thyer dhe në mënyrë të tillë që të nënshkruante marrëveshjen, ishte e rëndësishme për Thaçin që të kishte një bisedë apo një takim me Demaçin”, tha Williams.
Juristi më tej tha se sipas përshtypjes së tij, Thaçi nuk duhej të merrte miratim, por ishte e rëndësishme që Demaçi të jepte mbështetjen e tij për nënshkrimin e marrëveshjes.