Sot është mbajtur seanca fillestare ndaj deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, i cili akuzohet se në vitin 2023, i ka sulmuar gazetarët në Leposaviq.
Simiq u paraqit sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.
Ai në një prononcim për media pas seancës, deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me rastin në fjalë.
Tutje tha se për këtë është i pafajshëm.
“Sot jam paraqitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë për incidentin që ndodhi në vitin 2023 kur u sulmuan gazetarët në Leposaviq. Dua të them se absolutisht nuk kam asnjë lidhje me atë rast dhe se jam absolutisht i pafajshëm dhe, natyrisht, në procedurën e mëtejshme kur të vijë koha për këtë, ashtu edhe do të deklarohem. Unë jam dikush për të cilin misioni jetësor, misioni politik, gjithmonë ka qenë që të thërras për paqe, për bashkëjetesë, për dialog dhe për zgjidhjen e të gjitha problemeve përmes institucioneve dhe kurrsesi ndryshe”, tha ai.
“Parimi im themelor dhe kodi im politik mbështeten në atë që gazetari është i shenjtë dhe se gazetarin, natyrisht, nuk guxon askush ta prekë. Dhe ashtu jam sjellë ndaj gazetarëve si në veri, ashtu edhe në jug, dhe sa herë që kam hasur në gazetarë shqiptarë në veri, kur ka pasur ndonjë protestë gjatë viteve të kaluara, gjithmonë u kam dalë në ndihmë dhe u kam dhënë mbështetje, si teknike ashtu edhe në çdo kuptim tjetër. “Kështu që nuk kam absolutisht asnjë lidhje me këtë incident dhe atëherë jam deklaruar publikisht dhe e kam dënuar atë sulm. Dhe natyrisht, edhe sot, para kësaj gjykate themelore këtu në Mitrovicë, publikisht deklarohem dhe e dënoj ashpër sulmin ndaj gazetarëve dhe ekipeve të gazetarëve”, deklaroi Simiq.
“Faleminderit edhe njëherë dhe ju lutem që ta pasqyroni me transparencë këtë proces që do të zhvillohet edhe kundër meje. Dhe natyrisht, në mënyrë objektive – unë nuk frikësohem nga asgjë, nuk kam frikë nga asgjë, jam absolutisht i pafajshëm, drejtësia dhe e vërteta janë në anën time dhe jam i bindur se drejtësinë dhe të vërtetën do t’i dëshmoj”, theksoi ai.
Seanca në këtë rast u shtye, për shkak se avokati nuk i kishte pranuar shkresat e lëndës.
“Mosdorëzimi i skicës së lëndës me kohë mbrojtësve duhet të jetë diçka me të cilën ndoshta do të duhej të merrej Këshilli Prokurorial i Kosovës. Sepse kjo nuk është hera e parë, kjo është, të them, bërë e zakonshme që të vijmë në seancën përgatitore, e që dokumentet dhe ajo që i nevojitet mbrojtjes nga materiali, të mos dorëzohen me kohë. Unë pres që prokurorja ta përmirësojë atë lëshim të saj brenda afatit që gjykata ka caktuar dhe që më 9 tetor ta vazhdojmë procesin rregullisht”, tha para mediave avokati Dejan Vasiq.