Ngritet aktakuzë në mungesë ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave serbe për krime lufte në Gjakovë

Ngritet aktakuzë në mungesë ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave serbe për krime lufte në Gjakovë

Të premten Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në mungesë për krime lufte ndaj L.D. dhe V.O, të cilët akuzohen se gjatë periudhës 1998 – 1999 në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, raporton Gazeta Enigma.

“Sipas aktakuzës, më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën “Tahir Efendiu”, gjatë një aksioni të forcave policore serbe, ku morën pjesë edhe të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, është vrarë një civil dhe janë keqtrajtuar gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se, të pandehurit, në bashkëkryerje, kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin N.K., M.M., S. G., B.G., B.Sh., A.C., dhe Q.Sh., të cilët thuhet se janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht. 

Të akuzuarit thuhet se i kishin detyruar të ngarkojnë në kamionetën e policisë të gjitha materialet e ndihmës që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, dhe më pas i kanë futur me dhunë në një kamion dhe i kanë dërguar në stacionin policor të Gjakovës.

“Ndërsa, në stacionin policor, të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe me shufra gome, shqelma dhe grushte”, thuhet në njoftim.

I arrestuari M.M., në ditën kur është nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999 , ishte gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë.

Prokuroria Speciale ka ngritur së fundi disa akuza për krime, të cilat janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. / Gazeta Enigma.

Related Articles