Kanadaja ka shpallur zyrtarisht njohjen e shtetit të Palestinës.
“Kanada njeh shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për të ndërtuar premtimin e një të ardhmeje paqësore si për shtetin e Palestinës ashtu edhe për shtetin e Izraelit,” deklaroi kryeministri kanadez Mark Carney në një postim në platformën X.
Carney kishte paralajmëruar që në korrik se vendi i tij do të ndërmerrte këtë hap në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme. Në atë kohë, vendimi u kundërshtua ashpër nga zyrtarët izraelitë, të cilët e cilësuan si një “shpërblim për Hamasin.”
Një zyrtar i lartë i qeverisë kanadeze i tha CNN-it pak para shpalljes se “Autoriteti Palestinez ka hequr dorë nga dhuna, ka njohur Izraelin dhe është i përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete. Ne po e njohim shtetin e Palestinës për të fuqizuar ata që kërkojnë bashkëjetesë paqësore dhe për të margjinalizuar Hamasin.”
Zyrtarë të tjerë kanadezë kundërshtuan kritikat e Izraelit, duke theksuar se njohja nuk bëhet për të sfiduar apo ndëshkuar Tel Avivin. “Përpjekjet tona janë të sinqerta për të shpjeguar këtë vendim dhe për të mos lejuar që ai të paraqitet si një akt konfrontues,” tha një prej tyre.
Sipas tyre, ky hap mban ende gjallë mundësinë e zgjidhjes me dy shtete, pavarësisht kundërshtimit të hapur të Izraelit ndaj një shteti palestinez.
Shpallja e korrikut kishte shkaktuar reagim edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se lëvizja mund të dëmtojë Kanadanë në çdo negociatë tregtare me Shtetet e Bashkuara.