Inteligjenca artificiale zbulon rrezikun për kancer dhe sëmundje të tjera deri 20 vite më herët

Inteligjenca artificiale zbulon rrezikun për kancer dhe sëmundje të tjera deri 20 vite më herët

AI zbulon nëse do të zhvilloni kancer në 20 vitet e ardhshme – me saktësi tronditëse.

Shkencëtarët kanë zhvilluar një mjet revolucionar të inteligjencës artificiale, i cili mund të parashikojë rrezikun e mbi 1.000 sëmundjeve, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin – madje edhe dekada përpara se ato të shfaqen. Hulumtues nga Laboratori Evropian për Biologji Molekulare (EMBL), Qendra Gjermane për Kërkime mbi Kancerin dhe Universiteti i Kopenhagës shpresojnë se kjo teknologji do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të pacientëve me rrezik të lartë, në mënyrë që sëmundjet të parandalohen para se të shfaqen.

Delphi-2M është një model gjenerativ i inteligjencës artificiale, i trajnuar mbi miliona kartela mjekësore të anonimizuara. Ai analizon modelet në historikun shëndetësor dhe zakonet e jetës, si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit apo mbipesha dhe parashikon çfarë mund të ndodhë deri në 20 vite më vonë.

Modeli u testua mbi të dhëna nga 400.000 pacientë të projektit UK Biobank dhe nga 1,9 milionë persona të regjistrit kombëtar danez, raporton Daily Mail.

“Ngjarjet mjekësore shpesh ndjekin modele të parashikueshme. Modeli ynë i mëson ato modele dhe mund të parashikojë rezultatet shëndetësore të së ardhmes”, shpjegoi Thomas Fitzgerald, bashkautor i studimit të botuar në revistën Nature.

Related Articles