Një incident u raportua se ka ndodhur pas përfundimit të seancës së Kuvendit Komunal të Prishtinës. Siç u raportua në media pati një përleshje pas dështimit të seancës për buxhetin.
Fillimisht u raportua për sulm fizik ndaj kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina, por asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fiknete Bejta, ka thënë se bëhet fjalë për një sulm ndaj asamblistit të kësaj partie, Sami Salihu. Ajo ka akuzuar familjarë të Kupinës për sulmin.
“Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kryeqytetit, para objektit të Komunës së Prishtinës, ndodhi një akt i papranueshëm dhe i rëndë: u sulmua fizikisht asambleisti ynë, z. Sami Salihu. Ky sulm, i kryer nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin e Kuvendit, z. Fehmi Kupina, është jo vetëm një dhunë e paprecedentë ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve, por edhe një goditje e rëndë ndaj demokracisë, institucioneve dhe dinjitetit të Kuvendit të Kryeqytetit.
Ne Grupi i Asambleistëve të LDK-së, e dënojmë fuqishëm këtë akt të shëmtuar, që synon të frikësojë dhe të nënshtrojë zërin e lirë politik. E falënderojmë Policinë e Kosovës për reagimin e menjëhershëm dhe kërkojmë me ngulm nga organet e rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme. Grupi jonë qëndron pranë z. Sami Salihu me bindjen e fortë se dhuna nuk do të mund ta ndalë asnjëherë misionin tonë për të mbrojtur interesin qytetar, demokracinë dhe rendin ligjor në Prishtinë e Kosovë”, ka shkruar ajo.