Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se peshku në tregun e Kosovës nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
Nga AUV bënë të ditur se në tregun e Kosovës, importet me ngarkesat me peshk nga ShBA, Kanadaja, Spanja, Kroacia, Maqedonia e Veriut, në Republikën e Kosovës vinë të ngrira në më shumë se -18 C dhe me certifikata shëndetësore si garanci nga autoritetet e këtyre vendeve.
Derisa shtojnë se lloji i peshkut, Merluc, i cili gjendet në treg nuk shitet si produkt i freskët ose i shkrirë.
“Bazuar në vlerësimet shkencore të BE-së dhe legjislacionin përkatës të Republikës së Kosovës(, Pikën D të Kapitullit III të Seksionit VIII të Shtojcës III të Rregullores Nr. 12/2011 Për Përcaktimin e Rregullave Specifike të Higjienës së Ushqimit me Prejardhje Shtazore), produktet e peshkut të papërpunuar duhet të trajtohen në mënyrë adekuate për të eliminuar parazitët që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorit. Metodat e rekomanduara përfshijnë ngrirjen në temperatura të ulëta(-18ºC) për periudha të caktuara dhe trajtimin termik në temperatura mbi 60°C, duke marrë parasysh llojin e parazitit dhe trashësinë e produktit”, njoftojnë nga AUV.
Ndërkaq, një komision i pavarur i AUV-së ka pasur parasysh praktikat të cilat përdoren në shtete të ndryshme evropiane, ku produktet e peshkut me praninë e parazitëve ose të pa trajtuara mjaftueshëm asgjësohen, për të mbrojtur shëndetin publik.
“Duke u nisur nga kjo praktikë Komisioni ka marrë vendim për asgjësimin e peshkut, duke siguruar kështu sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik”.
“Për këtë çështje kemi edhe vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. lëndës 2025:134825 të datës 12.09.2025 nr. dokumenti 07679680. Në respektim të këtij vendimi, AUV bashkë me kompaninë është duke bërë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, për të garantuar sigurinë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe integritetin e tregut ushqimor në Kosovë”, vijohet tutje.