Mungesa e njërit nga të akuzuarit, ndërpritet seanca për rastin ‘Brezovica’

Mungesa e njërit nga të akuzuarit, ndërpritet seanca për rastin ‘Brezovica’

Mungesa e të akuzuarit Arben Çitaku, ka pamundësuar mbajtjen e seancës për rastin ‘Brezovica”, sot më (01.10.2025) në Gjykatën e Pejës.

Të akuzuar në këtë rast janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jadran Kostiq.

Në lidhje me rastin “Brezovica” Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Çitaku, avokati Leotrim Shala i cili ishte me autorizim zëvendësues nga avokati Besnik Berisha tha se nuk ka ndonjë informacion lidhur me mos ardhjen në seancë të mbrojturit të tij.

Pas pauzës disa minutëshe, lidhur me mungesën e të akuzuarit Arben Çitaku gjyqtarja Nushe Kukaj- Mekaj bëri të ditur se Gjykata ka pranuar informacion se i pandehuri e ka ngatërruar datën e seancës.

“Sipas informacionit që kemi pranuar i pandehuri Çitaku e ka përzier datën, dhe nuk është nisur fare, meqenëse anëtari i trupit gjykues është antar i trupit gjykues në një çështje tjetër dhe rasti është në paraburgim seanca e sotme konstatohet se nuk ka kushte për të vazhduar” – tha gjyqtarja.

Tutje, Gjykata ka aprovuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Dimitrije Raçiçeviq, avokatit Tahir Rrecaj për kthimin e pasaportave të sekestruara të të pandehurëve.

“Aprovohet propozimi i mbrojtësit të të pandehurit Dimitrije Rajçiçeviq, mbështetur nga mbrojtësit e tjerë dhe prokurori i shtetit që pasaportat e sekuestruara të kthehen”- tha gjyqtarja.

Ndryshe, seancat e parapara të mbahen me datë 03 dhe 07 tetor 2025 janë anuluar me arsyen se kryetarja e trupit gjykues te rasti Brezovica, tha se në këto data janë të caktuara edhe seancat për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, dhe meqenëse është afër kohës së penzionimit dhe të akuzuarit janë nën masës e paraburgimit është vlerësuar që në këto data të vazhdohet gjykimi në këto data për atë rast.

“…ka dalur një mosmarrëveshje mes antarëve, se janë të përzier trupet gjykuese dhe kanë qenë të caktuara disa seanca të rasti i Gllogjanit, janë në paraburgim. Këto seanca kanë qenë të planifikuara me datën 03.10.2025 dhe 07.10.2025 dhe mirëkuptim kam kërkuar nga antarët e trupit gjykues që të më lirohen këto data, megjithatë është vlerësuar se është më urgjente dhe këto data e kemi të pamundur të vazhdojmë”- tha gjyqtarja

Ndërsa lidhur me seancën e caktuar për datë 6 tetor, gjyqtarja njoftoi se edhe kjo është anuluar për arsye se po në këtë datë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është kërkuar që të anulohen të gjitha seancat e caktuara përveç atyre të natyrës urgjente për shkak të një takimi të rëndësishëm.

Me propozimin e avokatit Tahir Rrecaj dhe me pëlqimin e të gjitha palëve në procedurë trupi gjykues aprovoi propozimin për anulimin e seancës së planifikuar për ditën e nesërme.

Në këto rrethana seanca e sotme dhe seancat e planifikuara të mbahen për këtë rast në muajin Tetor u anuluan dhe seancat e radhës për këtë rast u shtyhen për në kohë të pacaktuar.

Kujtojmë se në seancat e kaluara kryetarja e trupit gjykues Nushe Kukaj-Mekaj ka marrë vendim që dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues mos të publikohen deri në momentin e përfundimit të dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve të tjerë për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të deklarimit të dëshmitarëve dhe për të mos pasur ndikim te dëshmitarët e tjerë që pritet të dëshmojnë lidhur me këtë rast.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Nushe Kuka- Mekaj (kryetare e trupit gjykues), dhe Driton Ademaj dhe Arben Mustafa (anëtarë të trupit gjykues).

Aktakuza është duke u përfaqësuar nga prokurori Rasim Maloku.

Në seancën e datës 08.01.2025 kryetarja e trupit gjykues Kuka- Mekaj kishte vendosur për kërkesën e të akuzuarit Bedri Halimi, duke aprovuar që procedura ndaj tij të veçohet.

Po ashtu në këtë seancë ishte aprovuar edhe propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Husein Ajdini, avokatit Shkelzen Sopjani, që ndaj tij të vazhdohet gjykimi në mungesë.

Më 04.11.2024 dhe 05.11.2024 prokurori, avokatët dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalën hyrëse lidhur me këtë rast.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 mijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër marrjen e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntori 2018 deri më 6 gusht 2019 ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reçiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben  Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

Më 17.099.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.

Related Articles