Elon Musk bëhet njeriu i parë me pasuri mbi 500 miliardë dollarë

Elon Musk bëhet njeriu i parë me pasuri mbi 500 miliardë dollarë

Elon Musk ka arritur një rekord historik, duke u bërë personi i parë në botë me pasuri neto që kalon shifrën prej 500 miliardë dollarësh, sipas indeksit të miliarderëve të Forbes.

Kjo rritje e jashtëzakonshme është arritur kryesisht nga rikuperimi i aksioneve të Tesla-s dhe vlerësimet në rritje të kompanive të tjera të Muskut gjatë vitit 2025. Pas një nisjeje të vështirë të vitit për aksionet e Tesla-s, optimizmi i investitorëve u rrit kur Musk u tërhoq nga roli i tij në administratën Trump dhe u përqendrua më shumë në bizneset e tij, raporton “Sky News”.

Sipas të dhënave, Musk zotëronte mbi 12.4% të aksioneve të Tesla-s në mes të shtatorit. Aksionet e kompanisë kanë shënuar një rritje prej mbi 14% që nga fillimi i vitit dhe mbyllën dje me 3.3% më shumë, duke rritur pasurinë e Muskut me më shumë se 6 miliardë dollarë.

Musk gjithashtu ka blerë aksione shtesë në Tesla me vlerë rreth 1 miliard dollarë, duke treguar besim të fortë në të ardhmen e kompanisë, e cila po kalon nga një prodhues automjetesh drejt një lideri në inteligjencën artificiale dhe robotikë.

Përveç Tesla-s, start-up-i i Musk për inteligjencën artificiale, xAI, dhe kompania e tij hapësinore SpaceX kanë përjetuar rritje të vlerësimeve gjatë këtij viti. xAI vlerësohet në rreth 75 miliardë dollarë, ndërsa SpaceX pritet të vlerësohet në rreth 400 miliardë dollarë në marrëveshjet e ardhshme për financim dhe shitje aksionesh.

Në listën e Forbes, pas Muskut renditet Larry Ellison, themeluesi i Oracle, me një pasuri neto prej rreth 350 miliardë dollarësh. 

Related Articles