Uran Ismaili takon të moshuarit: Do të garantojmë jetë aktive komunitare edhe pas pensionimit

Uran Ismaili takon të moshuarit: Do të garantojmë jetë aktive komunitare edhe pas pensionimit

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është takuar sot me të pensionistë të kryeqytetit, me të cilët ka diskutuar për nevojat dhe kërkesat e tyre, si dhe ka prezantuar planin e tij për këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë.

Ismaili tha se të moshuarit do të kenë kushte më të mira për të qenë pjesë aktive e jetës komunitare, duke iu ofruar hapësira për socializim, parqe dhe mënyra për t’i mbajtur aktivë edhe pas moshës 65 vjeçare.

Ai u zotua gjithashtu për ndërtimin e 400 ashensorëve të rinj në objektet banesore që nuk i kanë, një investim që do ta lehtësojë dukshëm jetën e përditshme, sidomos për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.

Një tjetër prioritet i tij, sipas asaj që tha para të moshuarve, është rritja e sigurisë në lagje, duke garantuar ndriçim publik në të gjitha rrugët dhe duke trajtuar problemin e qenve endacakë, që aktualisht e prekin në mënyrë të veçantë këtë kategori shoqërore.

“Nuk ka të ardhme të qytetit pa e respektuar të kaluarën. Prishtina funksionale vjen me zgjidhje konkrete si 400 ashensorë të rinj në ndërtesa dhe qasje në shërbime komunale që mundësojnë jetë të dinjitetshme për të moshuarit dhe për secilin.” tha Ismaili.

Related Articles