Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar deklaratave të Hekuran Muratit për çështjen e buxhetit.
Rama ka thënë se Murati si ministër në detyrë i financave, i ka bllokuar të hyrat vetanake të Prishtinës, “duke rrezikuar kështu, proceset esenciale”.
“Me këtë veprim po rrezikon ushqimin e fëmijëve në shkolla, shërbimet emergjente, shëndetësore, transportin publik dhe pagesat për familjet në nevojë. E gjithë kjo për t’ia hapur rrugën kolegut tuaj që ka bllokuar çdo projekt transformues në Prishtinë dhe që në fund doli të kandidojë për Kryeqytetin, të njëjtin qytet që e ka blloku për 4 vjet!”, ka shkruar Rama.
I pari i kryeqytetit ia ka përmendur projektet milionëshe të bllokuara.
“35 milionë euro të bllokuara nga Ministria e Financave janë mjete të aprovuara në Ligjin e Buxhetit për vitin 2025, duke përfshirë Grantin Qeveritar dhe të hyrat vetanake. Mbajtja peng e këtyre mjeteve është e pajustifikuar dhe dëmton investimet dhe shërbimet për qytetarët. 28.6 milionë euro të bartura nga viti paraprak nuk janë kaluar në Kuvend për miratim për shkak të mosvotimit nga LVV dhe PDK, ndonëse ne kemi dërguar disa herë propozimin për miratim. Kjo ka shkaktuar vonesa dhe ka penguar realizimin e projekteve të planifikuara për Kryeqytetin. Të hyrat nga Policia dhe Gjykatat për tremujorin e fundit të vitit, nuk mund të pranohen nga Komunat para datës 31 dhjetor. Kjo është praktikë ligjore dhe administrative që ka ekzistuar ndër vite dhe nuk ka të bëjë me vonesa nga Komuna”, ka shkruar Rama.
“Mosalokimi i mjeteve vetanake sipas ligjit nuk është vetëm pengesë administrative, por edhe shkelje KUSHTETUESE, sepse cenon autonominë financiare të Komunës së Prishtinës dhe të drejtën e qytetarëve për shërbime publike cilësore” , tha ai.
Sipas Ramës, këto pengesa janë nga Ministria e Financave dhe bllokada në Kuvend. “Ne kemi kërkuar disa herë që të respektohet Ligji për Buxhetin dhe të zhbllokohen menjëherë mjetet e Komunës, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe projekteve të rëndësishme për qytetarët e Kryeqytetit. Apo thjesht ti ministër nuk e di, siç është dëshmuar disa herë që nuk e din punën tënde!”, përfundon postimi i Përparim Ramës