Qyteti bregdetar i Durrësit sot pritet të mirëpresë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Iniciativës Bërdo-Brioni, i cili do të fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të marrë pjesë në këtë samit të krerëve të shteteve të rajonit.
Samiti Brdo-Brijuni organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Nataša Pirc Musar dhe Zoran Milanović, ndërkaq do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.
Me temë: “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, takimi i këtij viti do të fokusohet në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, me fokus në Planin e Rritjes së Rajonit të propozuar nga Bashkimi Evropian.
Iniciativa Brdo-Brijuni, synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe t`i lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.