Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka prezantuar vizionin e saj për kryeqytetin.
Shahini në Rubikon të Klan Kosovës tha se banimi dhe arsimi janë dy çështjet kryesore në të cilën bazohet programi i PSD-së.
Ajo tha se kostoja e banimit në Prishtinë është e papërballueshme.
“Kostoja në Prishtinë është bërë e papërballueshme. Kjo është konfirmuar dhe nga njerëzit me të cilët jemi takuar në terren, edhe gjatë vizitae derë më derë edhe kur i kemi vizituar në bizneset e tyre. Janë dy kategori që më së shumti e rëndojnë buxhetin familjar janë shpenzimet për arsimin, çerdhe, kopshte, qëndrim ditor, transporti shkollor, por pjesa më e madhe shkon drejt banimit”, tha ajo në debatin për kryeqytetin drejtpërdrejtë në Klan Kosova.
“Familjet në Prishtinë një pjesë të madhe të të hyrave i shpenzojnë për qira dhe për blerje. Kështu që ne kot merremi me projekte si tramvaji, nënkalimi, mbikalimi, kur në Prishtinë i kemi dy probleme thelbësore”, theksoi ajo.
Kandidatja e PSD-së pati kritika në adresë të kundërkandidatëve të saj, duke thënë se askush nga ta nuk është marrë me këto problematika.