Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim drejtoren rajonale të UN Women për Evropë dhe Azi Qendrore, Belén Sanz Luque.
Në muajin, i cili përkon me 25 vjetorin e miratimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës në avancimin e kësaj agjende, njëkohësisht duke rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm për garantimin e sigurisë dhe paqes gjithpërfshirëse.
Presidentja Osmani vlerësoi lartë bashkëpunimin me organizatën UN Women, e cila ka kontribuar në arritjen e objektivave të përbashkëta për barazi gjinore në Kosovë.
Këto objektiva përfshijnë projekte për fuqizimin e të drejtave të grave, vajzave dhe personave me nevoja të veçanta, fuqizimin ekonomik të qëndrueshëm të grave, pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe publike, mbështetjen ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftërave, drejtësinë tranzicionale, si dhe fusha të tjera me rëndësi.