Një edukatore e një çerdheje në Lipjan, dyshohet se i ka shkaktuar lëndime një vajze njëvjeçare.
Rastin fillimisht e ka bërë të ditur daja i vogëlushes, nëpërmjet një postimi në Facebook ku ka postuar edhe fotografinë që tregon lëndimin e saj në zonën e qafës.
Shaban Avdyli rrëfeu se kur nëna e vajzës ka shkuar për ta marrë nga çerdhja, ia ka vërejtur shenjat e thonjve në fytin e saj.
“Kjo është situata në fjalë: Ka shkuar nëna e vajzës për ta marrë vajzën nga çerdhja dhe e kanë vërejtur vajzën me shenja thonjsh në fyt. Dyshuam se edukatorja mund të kishte ushtruar dhunë fizike ndaj vogëlushes njëvjeçare”, u shpreh për Klankosova.
Avdyli shtoi se dyshimet e para i kishin tek edukatorja, ndaj edhe kanë vendosur që t’i shikojnë kamerat e sigurisë, nga ku sipas tij, vërtetuan atë për çka edhe dyshonin.
“Pas kësaj, e pamë në kamerat e sigurisë që edukatorja në fjalë e ka kapur për fyti, e ka përplasur në dysheme dhe e ka goditur me top”, tha daja i vogëlushes, derisa u shpreh se edukatorja e kishte pranuar fajin dhe kishte kërkuar falje.
“E ka pranuar dhe më thoshte kam gabuar, më fal”, shtoi Avdyli.
Ai bëri të ditur se në lidhje me këtë rast kanë bërë denoncim në polici, derisa njëvjeçaren e kanë dërguar në Emergjencën e Prishtinës për trajtim mjekësor.
Nga Policia kanë bërë të ditur se dje në stacionin policor në Lipjan është iniciuar një rast lëndim trupor, ku janë intervistuar ankuesja dhe e dyshuara.
Në bazë të konfirmimit të policisë, e dyshuara tashmë është e lirë.
“Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt përkitazi me udhëzimet e prokurorit të shtetit”, thuhet tutje në konfirmim.
Derisa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thanë se është iniciuar rasti ndaj të dyshuarës për “Lëndim të lehtë trupor”,
“Prokurori i shtetit ka iniciuar rastin ndaj të dyshuarës për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në bazë të nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Aktualisht, rasti është në trajtim dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme hetimore nga ana e prokurorit të shtetit”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë.
Më poshtë fotografia që tregon lëndimin e njëvjeçares, e publikuar nga daja i saj në Facebook.