Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Kumanovë, ku një person është plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur në rrugën prapa komunës së Kumanovës, kur ndaj viktimës është shtënë nga një makinë në lëvizje.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se bëhet fjalë për Z.SH (43) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës, i cili është transferuar në spital për trajtim mjekësor.
“Sot në orën 13:54 në SPB Kumanovë është denoncuar se në udhëkryqin mes rrugëve ‘Dimitrije Tucoviq’ me rrugën ’11 Oktomvri’ në Kumanovë, dy persona në lëvizje me armë zjarri kanë shtënë ndaj makinës ‘golf’ e drejtuar nga Z.Sh (43) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës, i cili është plagosur dhe më pas dërguar në spital.”, thuhet në njoftimin e MPB-së, njofton “Shenja”.
Ekipet e policisë ndodhen në terren duke kryer inspektim, ndërsa rruga “11 Oktomvri” është bllokuar. Kjo zonë është ndër më të frekuentuarat në qytet, pasi aty ndodhen institucionet kryesore – ndërtesa e komunës, gjykata, policia dhe posta.