Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka nisur gjykimi fillestar ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviq, të cilët akuzohen se kanë nxitur protestuesit që të sulmonin gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023.
Të akuzuarit Simiq dhe Vukasinoviq janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare, që u mbajt sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Seanca ishte planifikuar të mbahej më 18 shtator, por ishte shtyrë për shkak të mungesës së shkresave të lëndës për të akuzuarin Slavko Simiq dhe mbrojtësin e tij.
Sipas aktakuzës, Slavko Simiq ngarkohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, ndërsa ndaj Urosh Vukasinoviq rëndon edhe akuza për “sulm”.