13 vjet burgim të akuzuarit për dhunimin e dy të miturave

13 vjet burgim të akuzuarit për dhunimin e dy të miturave

Departamenti për të Mitur i Gjykatës Themelore në Ferizaj, të enjten ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit K.S., për shkak të veprave penale “Sulmi seksual”, “Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçe”.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin K.S. e shpalli fajtor për shkak të veprave penale të sipërpërmendura.

Për veprën penale “Sulm seksual”, i pandehuri u dënua me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë vjet, kurse për veprën tjetër penale, atë të keqpërdorimit seksual të personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçe, trupi gjykues i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjet.

“Konform nenit 76 paragrafi 2 të KPPRK-së, të njëjtit i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej trembëdhjetë (13) vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, u tha në njoftimin e Gjykatës.

I pandehuri K.S., akuzohet se në periudha të ndryshme kohore, gjatë viteve 2012–2013 dhe 2018–2022, ka ushtruar veprime të ndaluara seksuale ndaj dy të miturave të moshës 12 dhe 14 vjeçare, nga i njëjti lokalitet, duke shfrytëzuar rrethana të ndryshme dhe moshën e tyre të mitur.

Të pandehurit, gjykata tha se i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.

Related Articles