Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, ka arritur në Tiranë për protestën “Unë jam UÇK”.
Para protestës, ai ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
“Gjatë qëndrimit tim në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes në protestën gjithëkombëtare “Liria ka emër – Drejtësi për Çlirimtarët”, zhvillova takim vëllazëror me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, z. Blendi Klosi. Në fokus të takimit kishim zhvillimet aktuale politike në rajon, proceset euroatlantike dhe domosdoshmëria e bashkërendimit të veprimeve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar ai, duke shtuar se rruga evropiane është rrugë e përbashkët.
“Theksova se Shqipëria tashmë gjendet në një fazë të avancuar të negociatave me BE-në dhe se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah saj, me përkushtim të plotë dhe respektim të standardeve demokratike e evropiane. Rruga drejt Brukselit është rrugë e përbashkët, një projekt strategjik që bashkon të gjithë në rajon dhe që garanton paqen, zhvillimin dhe perspektivën tonë evropiane”, ka shkruara ai.