Një shtetase gjermane ka humbur jetën më 19 tetor të këtij viti pas një aksidenti malor në shkëmbinjtë e Liqenit të Jazhnicës, raporton Gazeta “Enigma”.
Operacioni i kërkim-shpëtimit ka zgjatur 9 orë, duke përfshirë ekipe të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
ShKShMk përmes një postimi në Facebook, kanë njoftuar se aksidenti me fatalitet ndodhi më 19 tetor 2025, kur një grup bjeshkatarësh gjeti trupin e viktimës në afërsi të shtegut kryesor.
“Viktima, M.N., gjatë ecjes malore në mënyrë të vetmuar, dyshohet të ketë ngecur në shkëmbinj dhe të ketë pësuar fatalitet nga kushtet atmosferike, duke kaluar në hipotermi për shkak të pamundësisë për t’u ndihmuar dhe mungesës së mbulueshmërisë me rrjet telefonik”, thuhet në njoftimin e tyre.
Operacioni i evakuimit përfundoi pas marshimit në errësirë dhe kushte dimërore, me koordinim të ngushtë mes ShKShMK dhe Policisë së Kosovës. “I shprehim ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimës”, shkruan ShKShMk.