Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar të martën se ka nisur numërimin e votave me kusht si dhe rinumërim i disa vendvotimeve, raporton Gazeta Enigma.
“Pas përfundimit të numërimit të votave nga jashtë vendit, në QNR ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve, sipas urdhrit të PZAP. Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
“Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
KQZ-ja ka njoftuar se të hënën rreth mesnatës ka përfunduar procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.
“Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas KQZ-së është duke vazhduar edhe skanimi i listës së votuesve.
“Në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve. Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, thuhet në njoftim.