Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, në një intervistë për “Agenzia Nova” ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve s’është proces që arrihet me një takim.
Sorensen ka thënë se kjo çështje është proces i vazhdueshëm që zhvillohet çdo ditë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.
Sorensen ka thënë se që nga marrja e mandatit në janar, kur e zëvendësoi Miroslav Lajçakun, ka zhvilluar dhjetëra takime zyrtare në rajon.
“Që nga marrja e detyrës, kam mbajtur më tepër se 60 takime zyrtare në rajon dhe kam qenë organizator i dy raundeve të takimeve të kryenegociatorëve në Bruksel, ku diskutuam çështje shumë konkrete: nga bashkëpunimi ekonomik e deri te çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Procesi nuk është gjithmonë linear dhe shumë prej tij ndodh prapa skenave, por çdo ditë bëhet përparim i vërtetë. Çdo ditë njerëzit, automjetet dhe mallrat lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm këtë verë, mbi 1.7 milion njerëz dhe afërsisht 650 mijë automjete kaluan pikat e përbashkëta kufitare. Veturat me targa të lëshuara nga Kosova tani mund të kalojnë në Serbi. Njerëzit paguajnë për energjinë që konsumojnë, sipas kushteve të dakorduara. Kjo është provë e prekshme se dialogu po funksionon”, tha Sorensen.
Ai ka thënë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është platforma e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se rruga drejt integrimit në BE, për të dyja vendet, varet nga kjo.
Ai tha se përmes dialogut, Beogradi dhe Prishtina, “janë angazhuar në diskutime të drejtpërdrejta dhe kanë arritur mbi 90 marrëveshje që përfshijnë dispozita mbi çështje praktike të përditshme”.