Kandidati për kryetar të Gjakovës nga radhët e Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini sonte në “Politiko” komentoi formimin e qeverisë së re dhe mundësinë e koalicioneve nga parti të ndryshme.
Gjini tha se është pothuajse fakt që nuk do të kemi qeveri të re tash dhe që po duket se deri të dielën nuk do të kemi qeveri.
“Nuk po shihet. Nëse nuk do të kemi qeveri atëherë ka shumë variabla, mund të ndodhin shumë situata të ndryshme, mirpo ajo që mua po më duket si fakt po ashtu që zgjedhje më së largu mund të ketë në pranverë të hershme. Diku në mars”, tha tutje Gjini.
Ai theksoi se shumë shpejt do të kemi edhe zgjedhje të reja, sepse nuk i kemi 80 deputetë të vullnetshëm për ta zgjedhur një president në Kosovë as deri në mars.
“Kisha thënë se do të ketë zgjedhje më herët se në mars, por është e pashmangshme sepse nuk po shoh konstalacion politik i cili mund të krijohet asisoji që mund të kemi qeveri dhe të kemi një qeveri e cila i ka votat e mjaftueshme për me zgjedh Presidentin ose Presidenten e Kosovës. Edhe nuk po shoh mundësi që ti kemi 80 deputetë të vullnetshëm për me zgjedh një president të Kosovës, as deri në mars. Kështu që do të kemi zgjedhje shpejt”, tha tutje Gjini.
