Dyshimet për spiunazh: Piloti kroat lirohet nga paraburgimi, serbja e Kosovës ende nën arrest

Dyshimet për spiunazh: Piloti kroat lirohet nga paraburgimi, serbja e Kosovës ende nën arrest

J.I, pilot i Forcave Ajrore kroate, është liruar nga paraburgimi derisa e dashura e tij Ana Murganiq, e cila është nga Kosova ndodhet ende nën arrest.

Kështu raporton gazeta kroate 24 sata, duke iu referuar burimeve nga Gjykata e Qarkut në Split.

“J.I.-së i është hequr masa e paraburgimit dhe i janë caktuar masa kujdesi, ndërsa nesër do të vendoset për vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarën A.M.”, u konfirmua nga kjo gjykatë.

Ndaj pilotit janë marrë masa shtesë, përfshirë ndalimin e kontaktit me njërin nga dëshmitarët që ende nuk është marrë në pyetje.

J.I me të dashurën e tij ishin arrestuar si të dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë. Pas këtij zhvillimi, ai u përjashtua nga ushtria, kjo u konfirmua atëherë edhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Hetuesit zbuluan komunikimet e tyre me politikanë serbë duke iu dhënë edhe informacione konfidenciale.

Dyshohet se këto informacione piloti nga Spliti i kishte mbledhur gjatë shërbimit të tij në Kosovë në kuadër kontigjentit kroat të KFOR-it (HRVCON).

Raportohet se e dyshuara A.M, merrte nga partneri të dhëna për lëvizjet e forcave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat më pas i përcillte drejtuesve të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka lidhje të ngushta me Beogradin.

Në komunikimet përmes aplikacionit WhatsApp përmendet edhe një gazetar i një agjencie ndërkombëtare, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë të këtyre informacioneve. Deri tani janë identifikuar të paktën katër raste të publikimit të sekreteve ushtarake, mes tyre rasti i veprimeve të KFOR-it në Zubin Potok dhe ai i arrestimit të ish-policit kosovar Dejan Pantić në dhjetor 2022.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se A.M. ka punuar më parë në misionet e EULEX-it dhe UNMIK-ut, ku ka pasur kontakte me gjyqtarë e prokurorë, disa prej të cilëve dyshohet se ka tentuar t’i shantazhojë.

Ajo rezulton të ketë qenë e afërt edhe me përfaqësues të komunitetit serb dhe persona të përfshirë në iniciativat për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Sipas burimeve hetimore, shërbimet serbe të inteligjencës po përdorin pozitat e punës së serbëve në institucione ndërkombëtare në Kosovë për mbledhje informacioni dhe ndikim në proceset gjyqësore.

Related Articles