Hoxha: Një Qeveri pa VV-në mund të ketë kosto të lartë për partitë opozitare

Hoxha: Një Qeveri pa VV-në mund të ketë kosto të lartë për partitë opozitare

Analisti politik, Ylli Hoxha, thotë për Gazetën Enigma se partitë e tjera do rrezikonin shumë nëse do krijonin një koalicion qeverisës pa VV-në, pasi kjo e fundit është fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve.

“Është politikisht e rrezikshme të krijosh shumicë përkundër fituesit të zgjedhjeve, LVV, e cila është fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve dhe si e tillë, pritjet janë që ajo të jetë pjesë e paevitueshme e Qeverisë.

Hoxha thotë se pasojat e një veprimi të tillë janë ende të freskëta, kur LDK formoi koalicion qeverisës me Avdullah Hotin, duke anashkaluar fituesin e atëhershëm, VV-në.

“Pra, reperkusionet e Qeverisë Hoti, e cila ishte krijuar duke mohuar këtë fakt, tregojnë se një vendim i tillë mund të jetë me kosto të lartë për forcat opozitare”, thotë analisti.

Tutje Hoxha thotë se një Qeveri e ish opozitës do ishte e brishtë dhe tejet heterogjene, “por mbi të gjitha nuk i ka numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit, vendim ky që pritet të merret në distancë kohore më të ngushtë se 6 muaj”.

“E treta, reperkusionet eventuale nga një koalicion i tillë bien më shumë tek LDK sesa pjesa tjetër e opozitës, prandaj edhe është vështirë të arrihet pajtimi mes forcave opozitare për një bashkëpunim të tillë”, përfundon Hoxha. /Gazeta Enigma

Related Articles