Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku për shkak të mungesës së kuorumit, buxheti i Junikut për vitin 2026 nuk u miratua.
Sipas Shehut, mungesa e kuorumit ishte rezultat i bojkotit të asambleistëve të AAK-së, të cilët, sipas tij, kanë vepruar nën udhëzime nga Deçani dhe kanë penguar votimin e buxhetit. Kryetari i Junikut vlerësoi pjesëmarrjen e dy asambleistëve të VV-së, Lulzim Gacaferi dhe Eliza Pepshi, duke theksuar se ata kanë vepruar në interes të përgjithshëm të qytetit, duke tejkaluar dallimet politike.
Shehu theksoi rëndësinë e buxhetit të Junikut, i cili parashikonte ndër të tjera rikonstruksionin e rrugës së Zharres, vendi ku ndodhet lapidari i heronjëve Arif Gjocaj, Shkelzen Gacaferi dhe Avdyl Jasiqi, të rënë më 28 korrik 1998 në Altarin e Lirisë.
Në reagimin e tij, Shehu ngriti pyetje kritike për veprimet e liderit të AAK-së, Agron Kuçi, i cili kërkon mandatin e katërt si kryetar:
“Si mund të kërkosh të jesh kryetar duke bllokuar qëllimisht buxhetin e Junikut? A keni menduar për pagat e punonjësve, për bizneset dhe ekonomitë familjare? Ky veprim është kundër interesave të qytetarëve të Junikut.”
Kryetari Shehu paralajmëroi qytetarët se më 9 nëntor ata do të japin përgjigjen e merituar në kutitë e votimit, duke bërë të qartë se politika e bllokimit të buxhetit nuk do të tolerohet.
