Presidenti amerikan Donald Trump nuk sqaroi nëse Shtetet e Bashkuara planifikojnë të rifillojnë testimet nëntokësore të armëve bërthamore, duke u thënë gazetarëve: “Do ta mësoni shumë shpejt”.
Gazetarët në bordin e Air Force One e pyetën presidentin në lidhje me postimin e tij të mërkurën në rrjete sociale, ku i drejtohej Departamentit të Mbrojtjes të kthehej në testimet bërthamore.
“Do të bëjmë disa testime”, tha Trump.
“Vende të tjera e bëjnë. Nëse do ta bëjnë, ne do ta bëjmë.”
Ai nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.
Ndryshe, SHBA-të kryen për herë të fundit një provë armësh bërthamore në vitin 1992.
Vite më vonë, në vitin 1996, nënshkruan Traktatin Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore, i cili “ndalon të gjitha shpërthimet e testeve bërthamore, qofshin për qëllime ushtarake apo civile”.
