Një 46-vjeçar është arrestuar në Tiranë teksa drejtonte një taksi, brenda së cilës policia gjeti 4 pistoleta dhe lëndë narkotike të fshehura në rrobat e tij.
Dyshohet se 46-vjeçari i arrestuar furnizonte grupe kriminale me armë zjarri, ndërsa përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore.
Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 e arrestuan shtetasin A. C. në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, ndërsa policia bën me dije se ai është i implikuar edhe më parë në aktivitete të tilla kriminale.
Policia e Tiranës njofton se, në sajë të operacionit “Gun Expert”, i ndjekur me metoda speciale hetimi, u bë e mundur sekuestrimi i 4 armëve zjarri (pistoleta), municionit luftarak, lëndës narkotike kokainë dhe pjesëve të ndryshme të armëve.
“Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës së 46-vjeçarit A.C, iu gjetën 4 pistoleta me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’u shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’,” njofton Policia e Tiranës.
