Kryetari i deritanishëm i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka reaguar pas rezultatit të balotazhit të 9 nëntorit.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza ka uruar bashkëpartiakun e tij, Arian Tahirin, dhe gjithashtu fituesin e garës për kryetar, Faton Pecin nga LVV-ja.
“Ju falënderoj që na mbështetët dhe besuat në kandidatin tonë. Falënderoj gjithashtu secilin aktivist të PDK-së që kontribuoi në këtë fushatë të bukur dhe të respektueshme. Edhe pse nuk e arritëm rezultatin e dëshiruar në garën për kryetar, e vlerësoj lartë ekipin për punën dhe përkushtimin e treguar. PDK-ja ka dalë partia e parë me numër të votave dhe me numër të asamblistëve në Mitrovicë”, shkroi Hamza.
Tutje i njëjti tha se Tahiri ka treguar integritet, kulturë dhe përkushtim.
“Ndërsa, Ariani ka dëshmuar se integriteti, kultura dhe përkushtimi janë themeli i politikës së ndershme. Z. Peci ia uroj fitoren dhe i dëshiroj suksese në shërbim të Mitrovicës dhe të qytetarëve tanë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi për të ardhmen e Mitrovicës dhe Kosovës”, u shpreh tutje Hamza.
