Haliti fitoi në Viti me një diferencë prej veç 197 vota

Haliti fitoi në Viti me një diferencë prej veç 197 vota

Garë jashtëzakonisht interesante u zhvillua në Viti, mes kandidatit të LDK-së Sokol Halitit, i cili njëherësh është edhe kryetar i kësaj i komune, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje Arsim Ademi.

Haliti ka arritur tashmë ta konfirmoi mandatin e katërt, por rezultati mes tij dhe Ademit ishte tejet i ngushtë.

Ai në balotazh mori 8 mijë e 352 vota, kurse kandidati i LVV-së 8 mijë e 155.

Sokol Haliti doli fitues me një diferencë prej 197 votash.

Reagimi i Halitit

Përmes një postimi në Facebook, Haliti thotë se Vitia do të vazhdojë të ecë përpara, më e fortë, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë.

“Faleminderit pa fund, Vitia ime!

Historia u shkrua nga duart tuaja, me votën tuaj, me besimin që keni treguar në rrugën tonë të përbashkët. Kjo fitore është e juaja, e çdo qytetari, e çdo familjeje, e çdo të riu e të reje që besoi se puna, përkushtimi dhe ndershmëria triumfojnë gjithmonë.

Ju faleminderit nga zemra për çdo takim, çdo buzëqeshje, çdo fjalë mbështetjeje dhe çdo hap bashkë në këtë rrugëtim. Ju faleminderit që treguat se Vitia është qytet i njerëzve që duan vendin e tyre, që nuk lodhen, që ecin përpara me dinjitet, me besim në punë mbi premtime, e përkushtim mbi interesin personal. Kemi dëshmuar se kur jemi bashkë, asgjë nuk na ndal!

Vitia do të vazhdojë të ecë përpara, më e fortë, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë. Ne do të vazhdojmë punën me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin respekt për çdo njeri, e me të njëjtin ideal që na bashkon: të ndërtojmë një Viti që nuk ndalet”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera, Haliti thotë se kjo fitore është e popullit dhe qytetarëve të ndershëm që, siç thotë ai, i besuan të ardhmes së qytetit.

“Ju faleminderit nga zemra, për besimin, për bashkëpunimin, për dashurinë tuaj. E ardhmja e Vitisë është në duar të sigurta, sepse është në duart tuaja. Së bashku, Vitinë do ta çojmë PËRTEJ”, përfundoi kryetari Haliti.

Related Articles