Në disa prej dengjeve të fletëvotimeve për balotazhin e 9 nëntorit janë evidentuar gabime jo vetëm në Mitrovicën e Jugut, por edhe në Komunën e Gjakovës.
Lajmi është konfirmuar nga zyrtari kryesor i Komisionit Zgjedhor Komunal në Gjakovë, Amir Rexha.
Rexha tha se gabimet janë vërejtur para se të niste procesi i votimit dhe se asnjëra prej fletëvotimeve të pasakta nuk ka përfunduar në kuti.
“Saktë, ka ndodhur, por nuk janë fletëvotime që janë futur nëpër kuti. E kemi vërejtur para se të nisë procesi. Diku rreth gjashtë raste, më duket. Ka qenë në balotazh. Komisionerët në momentin që i kanë pranuar, i kanë vërejtur dhe i kanë verifikuar kodet me numrin e vendvotimit,” deklaroi ai.
Mbrëmë KQZ ka konfirmuar se një rast i ngjashëm me gabime në njërin prej elementeve të fletëvotimit – konkretisht në kodin e vendvotimit ka ndodhur edhe në Gjakovë.
