Vetëm dy ditë kanë kaluar që kur Kosova mbajti raundin e dytë të zgjedhjeve të nivelit lokal.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot gjatë ditës ka njoftuar se ka filluar tërheqja e pakove të supozuara me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave.
Njoftimi është bërë i ditur para pak minutash në faqen zyrtare të KQZ-së në Facebook.
Përmes postimit bëhet e ditur se tërheqja e pakove me fletëvotime do të bëhet nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, të cilat pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Ndërkaq, gjatë procesit të regjistrimit, numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave është: 29,725.
