Arian Tahiri, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Komunën e Mitrovicës së Jugut, është deklaruar për herë të parë lidhur me parregullsitë në votat e kësaj komune.
Tahiri në emisionin ‘Debat Plus’ theksoi se 99% e votave me numër serik të çrregullt favorizojnë kandidatin tjetër, Faton Pecin.
“Rreth 99% janë vota që nuk janë të miat edhe kjo është gjithashtu element i çuditshëm që duhet me pa. Të gjitha këto fletëvotime që s’përputhen me vendin e votimit s’janë të miat. Në të kundërtën, duhet të ishte të paktën në proporcion me rezultatin e përgjithshëm që është.
Si është e mundshme që këto fletëvotime të janë në lokacione të tjera? Ne kemi reagim nga KQZ edhe nga kompania, të cilat e pranojnë se ka pasur gabim tek numri serik kur është bërë shtypja. Çka thotë ligji? Thotë se fletëvotimi duhet ta ketë numrin serik specifik në bazë të vendvotimit, që i bie se nuk është ashtu kemi edhe një pranim nga KQZ, është se fletëvotimet nuk e kanë integritetin e tyre, rrjedhimisht procesi zgjedhor s’e ka integritetin. Është një organizim i përgjithshëm, sepse është fenomen i theksum në të jgitha shkollat e qytetit të Mitrovicës që kanë dëmtuar integritetin e procesit zgjedhor dhe e kanë humbur besueshmërinë.
E ka humb integritetin, s’ka mujt me u rujt, e mundëson që me u fut fletëvotime pa kontroll që njihet si ‘treni bullgar’, ky është ai dami që është shkaktu. Është deformu vullneti i qytetarëve të Mitrovicës, kam besu në proces të rregullt, në demokraci të plotë dhe si rezultat i saj edhe e kam uru qytetarin e kundërkandidatin me respektin maksimal”, deklaroi Tahiri.
