Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se nuk pajtohet me dorëheqjen e Memli Krasniqit, nga pozita e kryetarit të këtij subjekti politik.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se respekton vendimin e Krasniqit duke e ditur moralin e lartë të tij politik, duke u shprehur se Memli Krasniqi nuk do të duhej të tërhiqej pasi e ka ngritur PDK-në.
“Kjo nuk është një dorëheqje me të cilën pajtohem, por natyrisht se e respektoj! E respektoj duke e ditur moralin e lartë politik dhe lidershipin që përfaqëson, Memli Krasniqi, me të cilin jam rritur në Partinë Demokratike të Kosovës”.
“Kjo është një dorëheqje që s’do të duhej të vinte sepse nga këto Zgjedhje Lokale, PDK është renditur partia e parë me votë në nivelin nacional. Po ashtu, Memli Krasniqi nuk do të duhej të dorëhiqej sepse prej ditës së parë kur ai mori drejtimin e partisë, PDK ka shënuar rritje në çdo proces zgjedhor”, ka thënë Gjoshi.
I njëjti shtoi se dorëheqja e sotme është shenjë e karakterit të fortë politik, që tregon se lidershipi matet me përgjegjësi e jo me pushtet.
