Gjithçka nisi mbrëmjen e së hënës, një ditë pas ditës së zgjedhjeve, kur komisionerët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë të Jugut u tërhoqën nga procesi i verifikimit të votave me dyshimet për keqpërdorim.
Këta komisionerë kishin hasur në fletëvotime me kod të vendvotimit që nuk përputhej me vendvotimin prej nga ato vinin. Më vonë u kuptua se bëhej fjalë për 75 fletëvotime të tilla.
Me urdhër të prokurorisë, verifikimi u ndalua dhe rifilloi vetëm një ditë më vonë, sërish me vendim të prokurorisë. Tani ka përfunduar, por jo edhe diskutimi për të.
Çka është kodi i vendvotimit dhe pse rifilloi procesi?
Kodi i vendvotimit është një kod që printohet vertikalisht në qoshen e lartë në anën e djathtë të fletëvotimit dhe tregon se cilit vendvotim i takon ajo votë.
Për ilustrim, në Mitrovicë të Jugut janë gjithsej 105 vendvotime. Secili prej tyre i bie të ketë një kod të veçantë të shënjuar në secilin fletëvotim që u është dhënë qytetarëve kur kanë hyrë për të votuar.
Pas dyshimeve të ngritura nga disa komisionerë në Mitrovicë të Jugut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) reagoi, duke thënë se ka gabime në shtypjen e kodit të vendvotimit, por duke insistuar se kjo nuk e minon integritetin e zgjedhjeve.
KQZ-së iu tha nga kompania përgjegjëse sllovene CETIS se ka zhvilluar hetim të plotë dhe që “problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”.
Prokuroria, pas këtij sqarimi nga kompania CETIS, urdhëroi të rinisë procesi i verifikimit të votave.
Si u zgjodh kompania CETIS?
Për të shtypur fletëvotimet, broshurat e kandidatëve dhe listat e votuesve për zgjedhjet lokale 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë kishte paraparë të shpenzonte 492 mijë euro.
Për ta kryer këtë shërbim, kompania sllovene CETIS, në bashkëpunim me kompaninë kosovare CETKOS, u përzgjodh me kontratë në vlerë prej 489 mijë e 362 eurosh e 40 centë.
Megjithëse në këtë shpallje të tenderit kishte aplikuar edhe një kompani tjetër duke ofruar çmim më të ulët, prej 397 mijë e 566 eurosh e 19 centë, ajo u eliminua me arsyetimin se certifikata Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim (ISO)* nuk ishte në rregull dhe nuk përmbushte listën e projekteve të
Sipas të dhënave të prokurimit, në dosjen e tenderit thuhej se kriteri për dhënien e kontratës për CETIS-in ishte çmimi më i ulët që ofrohet nga operatori ekonomik.
Kompania e njëjtë sllovene kishte shtypur fletëvotimet edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Por, si e fitoi atë kontratë?
Së pari, KQZ-ja kishte anuluar tenderin duke eliminuar të pesë operatorët ekonomikë që kishin aplikuar, pasi nuk kishin përmbushur kriteret e kërkuara – në mesin e tyre edhe kompania sllovene CETIS.
Në arsyetimin për anulimin e kësaj kompanie thuhej se asaj i mungonin disa dokumente dhe nuk ishin përmbushur kërkesat e sigurisë së tenderit. Po ashtu thuhej se ajo kishte ofertuar me çmim dyfish më të lartë sesa që KQZ-ja planifikonte të shpenzonte për shtypje të fletëvotimeve.
CETIS kishte ofertuar me çmim prej mbi 776 mijë eurosh, derisa KQZ-ja planifikonte ta përmbyllte këtë shërbim me 290 mijë euro.
Pas rreth 20 ditësh nga anulimi i tenderit, KQZ-ja vendosi ta shpërblejë me kontratë pikërisht grupin e operatorëve CETIS dhe CETKOS, me procedurë të negociuar. Vlera e kontratës ishte mbi 279 mijë euro.
Kush qëndron pas kompanisë sllovene?
CETIS është kompani me seli në Celje të Sllovenisë, e cila ofron zgjidhje për dokumente sigurie [pasaporta biometrike, karta identiteti, patent-shofer] dhe printime të tjera komerciale.
Njëri nga drejtorët ekzekutivë të saj, Radenko Mijatoviq, është edhe kryetar i Federatës së Futbollit në Slloveni.
Sipas një njoftimi të Federatës sllovene, Mijatoviq, në mars të vitit 2025, kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë energjetike GEN, e cila ishte bërë partner i përfaqësueses së kombëtares sllovene deri në korrik të këtij viti.
Me kompaninë GEN akuzohej se kishte lidhje edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Raportimet mediatike theksonin veçanërisht disa transaksione nga degët serbe të GEN-it në kompanitë e Berishajt.
Emri i Berishajt ishte përmendur edhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kur Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte thënë se ka nisur hetim për dyshimet e ngritura nga raportimet se Berishaj ishte përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të votave me postë të mërgimtarëve.
Pse s’flitet për Gjakovën?
I njëjti gabim – me kod të gabuar vendvotimi – është vërejtur edhe në Gjakovë. Megjithatë, në këtë komunë, verifikimi i votave nisi e përfundoi pa ndonjë problem apo ndërhyrje nga organet e drejtësisë.
Kjo pasi që, siç sqaron zyrtari kryesor i Komisionit Zgjedhor Komunal në Gjakovë, Armir Rexha, për Radion Evropa e Lirë, në këtë komunë problemi ishte evidentuar gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Është përdorur vetëm një fletëvotim në një vendvotim. E kemi bërë verifikimin në qendrën komunale të numërimit, është gjithçka në rregull. Përputhen të dhënat”, thotë Rexha, duke sqaruar se fletëvotimet e tjera me këtë gabim nuk janë përdorur.
Ai tha se ky gabim është vërejtur në 12 nga gjithsej 146 vendvotimet në Gjakovë, por se nuk janë përdorur ato me gabime pasi që kanë tepruar fletëvotime.
I pyetur nëse është shpallur i pavlefshëm fletëvotimi me kodin e gabuar të vendvotimit, ai vetëm tha se për këtë gjë vendosin “anëtarët e këshillit të vendvotimit në qendrat komunale të numërimit”.
Rezultatet nga qendra komunale e numërimit tregojnë se Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fitoi 56.43 për qind të votave në këtë komunë, apo 3 mijë e 909 vota më shumë se kundërkandidati i tij, Ardian Gola, i Lëvizjes Vetëvendosje.
Çka thotë ligji?
Pika e parë në nenin 16 të rregullores zgjedhore për “votimin, numërimin në vendvotim dhe menaxhimin” thotë se një fletëvotim dhe votë është e vlefshme nëse, ndër të tjera, “është i vulosur dhe ka numrin serik të vendvotimit përkatës”.
Duke u thirrur në manualet e vetë KQZ-së, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se fletëvotimet në të cilat është evidentuar gabimi, duhet të shpallen të gjitha të pavlefshme.
“KQZ-ja dhe PZAP-ja [Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa] duhet të kryejnë hetimet përkatëse dhe të dalin me versione zyrtare mbi impaktin që këto kanë pasur në rezultatin zgjedhor. Vetëm përmes transparencës dhe llogaridhënies mund të rikthehet integriteti i procesit zgjedhor”, thotë Cakolli për REL-in.
A është humbur integriteti i zgjedhjeve në Mitrovicë të Jugut?
Për këtë, varet se kë e pyet. Përfaqësuesit e PDK-së thonë se po, pjesëtarë të shoqërisë civile shprehin shqetësim, ndërsa përfaqësues të LVV-së dhe KQZ-ja thonë se jo.
Balotazhi në Mitrovicë të Jugut e nxori fitues Faton Pecin e LVV-së me 53.47% të votave, apo me 2 mijë e 315 vota më shumë se kundërkandidati i tij, Arian Tahiri i PDK-së, sipas të dhënave preliminare të KQZ-së.
Para se të shfaqeshin dyshimet në lidhje me votat në balotazhin për Mitrovicën e Jugut, kandidati i PDK-së kishte pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe i kishte uruar fitoren kundërkandidatit të tij nga LVV-ja.
Por, pas dyshimeve të ngritura, PDK-ja u ankua për këtë rast në PZAP dhe përfaqësues të saj kërkuan rivotim.
Një natë më parë, në Televizionin Dukagjini në Kosovë, kandidati i PDK-së, Tahiri, tha se pothuajse të gjitha fletëvotimet me këtë gabim ishin me vota për kundërkandidatin e tij. Nga Kuvendi Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Jugut konfirmuan se vota nga ato fletëvotime fituan të dy kandidatët.
Deputeti i LVV-së, Nezir Kraki, në një paraqitje mbrëmë në T7, insistoi se gabimi me kodin e fletëvotimeve, megjithatë, nuk e ka minuar integritetin e zgjedhjeve, sepse qytetarët kanë votuar për kandidatin e tyre të preferuar edhe në ato fletë.
Në këtë ka insistuar edhe KQZ-ja, që qysh në reagimin e saj të parë tha se fletëvotimet kanë edhe një numër serik që mundëson verifikimin e tyre dhe ato përputhen me fletëvotimet e verifikuara në qendrat komunale.
Por, Tahiri pretendoi se gabimi në printimin e numrit serik mund të ketë mundësuar mashtrimin e njohur si “treni bullgar”, pasi tha se dyshon që për nisjen e këtij fenomeni, mund të jetë përdorur ndonjë fletëvotim nga diaspora.
Çka është “treni bullgar”?
“Treni bullgar” është një mënyrë e mashtrimit në zgjedhje. Ajo fillon me një fletëvotim të falsifikuar që plotësohet jashtë qendrës së votimit dhe i jepet një personi që pranon ta shesë votën ose detyrohet ta bëjë këtë.
Ky person hyn në qendrën e votimit, merr një fletëvotim të vërtetë, por nuk e përdor atë. Në vend të saj, ai fut në kuti fletëvotimin e rremë që ka marrë më parë dhe e nxjerr jashtë atë të vërtetin, të paplotësuar.
Fletëvotimi i vërtetë, pastaj, i jepet votuesit tjetër për të vazhduar mashtrimin në të njëjtën mënyrë.
Por, Cakolli thotë se një mashtrim i tillë do të ishte vështirë i aplikueshëm dhe lehtësisht i kontrollueshëm nga KQZ-ja.
Për të, më shqetësues është efekti që ky proces do të ketë në besimin e qytetarëve në integritetin e proceseve zgjedhore, veçanërisht në mungesë të një transparence më të madhe.
“Zgjedhjet e shpeshta dhe krizat politike kanë vetvetiu për pasojë krijimin e një apatie për proceset zgjedhore. E, kur qoftë edhe pjesë të caktuara të proceseve zgjedhore kontestohen nga palët, kjo i lë hije të keqe procesit zgjedhor”, thotë Cakolli.
Ai e sheh si problematike edhe atë që e përshkruan si tentim të KQZ-së për t’ia kaluar të gjithë përgjegjësinë kompanisë sllovene CETIS.
“Edhe nëse është bërë një gabim teknik dhe ai nuk ndikon në integritetin e zgjedhjeve, nuk është sqaruar se cila është përmasa e këtij problemi. Mungesa e këtyre përgjigjeve nga KQZ-ja i shton dyshimet në raport me situatën dhe ua mundëson palëve të tjera për ta kontestuar integritetin e procesit zgjedhor”, shton Cakolli.
Balotazhi i 9 nëntorit ishte hera e tretë që shumë shtetas kosovarë dolën në votime brenda këtij viti kalendarik: më 9 shkurt për zgjedhjet parlamentare, më 12 tetor për rundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe më 9 nëntor për rundin e dytë.
Për më tepër, ende po diskutohet edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi rezultatet e 9 shkurtit nuk prodhuan ende një qeveri – gjë që, potencialisht, mund ta çojë vendin në mbajtjen e katër ditëve zgjedhore brenda një viti kalendarik.
