Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar të enjten lidhur me mungesën e materialeve për hemodializë, shkruan Gazeta Enigma.
Ajo ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie, duke thënë se edhe procesi i hemodializës në spitale është lënë pa materiale të nevojshme.
“Edhe hemodializën e kanë lënë pa material – kategorinë pothuajse më të ndjeshme të shoqërisë e kanë lënë nën mëshirën e fatit”, ka shkruar Bajrami.
“Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, e që i ka zhvilluar negociatat në restoranin ‘Bukë e Zemër’ të Ridvan Muharremit, i njëjti që ka lejuar vartësit e tij të lidhin mbi 2,400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë eurosh, është po ai që ka lejuar që energjia e importuar të blihet jo në bursë, jo përmes ankandeve, por drejtpërdrejt nga kompania NOA”, ka shkruar deputetja.
Sipas saj, raportimet për mungesë materialesh në SHSKUK dhe qendrat e hemodializës janë dëshmi e dështimit të qeverisë.
Bajrami ka thënë se kjo qasje e Vetëvendosjes dhe e kryeministrit Kurti tregon se për ta “nuk është me rëndësi as shteti, as qytetari”, duke theksuar se ata e shohin qytetarin vetëm si votë.
“Largimi i tyre nga keqqeverisja është urgjencë qytetare – sa më parë, aq më mirë”, shtoi ajo.
