Raport tronditës – turistët paguanin 90 mijë euro për të vrarë civilë në Sarajevë gjatë luftës

Raport tronditës – turistët paguanin 90 mijë euro për të vrarë civilë në Sarajevë gjatë luftës

Një raport tronditës nga prokurorët italianë shpërfaq një histori të tmerrshme gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas prokurorëve, “turistët snajperë” u paguanin forcave serbe të Bosnjës rreth 90 mijë euro, për mundësinë për të vrarë ata vetë banorët gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës, raportoi Guardian, transmeton Gazeta Enigma.

Çka e bën edhe më tronditës raportin, është se këta turistë paguanin një tarifë shtesë për të vrarë fëmijë.

Hetimi u nxit pasi një shkrimtar investigativ italian, Ezio Gavazzeni, pretendoi se kishte zbuluar prova se entuziastët e pasur të armëve – mes tyre gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore, paguanin shuma të mëdha parash për t’u çuar atje për të qëlluar civilët.

Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga snajperët dhe granatimet midis viteve 1992 dhe 1996.

“Nuk kishte motive politike ose fetare. Ata ishin njerëz të pasur që shkonin atje për argëtim dhe kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që i duan armët, të cilët ndoshta shkojnë në poligone qitjeje ose në safari në Afrikë”, shkroi Gavazzeni.

Gavazzeni tha se lexoi për herë të parë raportet për të shtënat e dyshuara të udhëhequra nga turistët në mediat italiane në vitet ’90, por filloi të gërmonte më thellë pasi pa një dokumentar të vitit 2022 për një ish-ushtar serb i cili pretendonte se të huajt do të qëllonin banorët nga kodrat në Sarajevë.

Ai thotë se një burim kyç ishte një ish-oficer i inteligjencës boshnjake.

Hetimi i sapo nisur, i udhëhequr nga prokurorët në Milano, synon të identifikojë çdo italian të përfshirë në të ashtuquajturin “turizëm snajperësh”.

Gavazzeni tha se ai tashmë kishte zbuluar identitetin e disa prej italianëve të dyshuar për përfshirje në masakër dhe ata pritet të merren në pyetje nga prokurorët në javët e ardhshme.

Konsullata boshnjake në Milano tha se qeveria boshnjake do të ofrojë bashkëpunim të plotë gjatë hetimit.

“Ne mezi presim të zbulojmë të vërtetën për një çështje kaq mizore në mënyrë që të mbyllim një kapitull të historisë. Unë kam në zotërim informacione të caktuara që do t’i ndaj me hetuesit”, tha një zëdhënës. /Gazeta Enigma

Related Articles