Lëvizjet në PDK: Dorëheqja e Krasniqit, favorizimi i Hamzës dhe kërkesa e Hoxhajt – Çka po ndodh? Flet njohësi i çështjeve politike

Lëvizjet në PDK: Dorëheqja e Krasniqit, favorizimi i Hamzës dhe kërkesa e Hoxhajt – Çka po ndodh? Flet njohësi i çështjeve politike

Të mërkurën, Memli Krasniqi u tërhoq nga pozita e të parit të PDK-së, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të brendshme në parti.

Pas këtij vendimi, të hënën me 17 nëntor u caktua data e Konventës së partisë, ku do të votohet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

“Zërat” brenda partisë duke filluar nga vetë Memli Krasniqi favorizuan emrin e Bedri Hamzës.

Por, anëtari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, është i mendimit që kjo Konventë duhet të shtyhet, pasi sipas tij, “një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër”.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Alijaj, deklaroi se debati që po zhvillohet në këtë rast brenda PDK-së duhet të konsiderohet si zhvillim pozitiv dhe mendimet e ndryshme nuk paraqesin përçarje.

“Debati brenda partisë politike duhet konsideruar si zhvillim politik dhe si shprehje e pjekurisë demokratike. Mendimet dhe qëndrimet e ndryshme nuk paraqesin domosdoshmërisht përçarje por diversitet të ideve. Zotri Krasniqi e ka ndërlidhur dorëheqjen e tij me nevojën për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të partisë dhe ka vlerësuar se zotri Bedri Hamza është personi më i përshtatshëm për të udhëhequr këtë proces, duke theksuar që kandidati për kryeministër në të njejtën kohë të jetë edhe lideri i partisë”, tha ai.

“Kurse, zotri Hoxhaj në deklaratën e tij ka kërkuar shtyrje të Konventës me qëllim që të ofrohet më shumë kohë për një garë të brendshme, kjo mund të lidhet edhe me ambicien e tij për rikthim në udhëheqjen e partisë dhe kjo është legjitime nga ana e tij”, tha Alijaj për Enigmën.

Sipas Aliajt, pasi vendi është afër zgjedhjeve qendrore, ndryshimet në udhëheqjen e partisë nuk janë ‘reforma të mirëfillta’.

“Në anën tjetër, duke marrë parasysh se vendi pritet së shpejti të shkojë në zgjedhje nacionale, ndryshimet në udhëheqjen e partisë nuk mund të konsiderohen si reforma të mirëfillta, pasi reformat kërkojnë kohë dhe procese të gjera konsultimi”.

“Ky zhvillimi në PDK-në duhet parë kryekëput si një përpjekje për unifikim të brendshëm dhe rritjen e votës në zgjedhjet e ardhshme, pasi që dihet tashmë publikisht që një numër i degëve, e po ashtu edhe anëtarëve të kryesisë së partisë kanë shprehur tash e një kohë pakënaqësi qoftë me reformat e filluara më parë, qoftë me udhëheqjen aktuale të partisë. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet procesi, mirëpo në këtë fazë nuk mund të flasim për reforma partiake në kuptimin e plotë të fjalës”, përfundoi Alijaj për Enigmën./GazetaEnigma

Related Articles